Fjala e Presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë

Shtyp

 Fjala e mbajtur nga Presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë në Takimin Jubilar të 25 Vjetorit të krijimit të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë

  06 Qershor 2019
  Tiranë

  

Të nderuar kolegë,

E nderuar Znj. Ministre,

Të nderuar ish ministra të Shëndetësisë,

Të nderuar Deputetë, Drejtues të institucioneve shëndetësore publike dhe jo publike,

Të nderuar mysafirë ndërkombëtarë,

Të nderuar përfaqësues të urdhërave të tjerë profesionalë mjekësorë, Përfaqësues të profesoratit dhe shoqatave mjekësore shqiptare, Përfaqësues të shoqatave të të sëmurëve,

 

Të nderuar kolegë, zonja dhe zotërinj

 

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirë se ardhjen në shtëpinë e përbashkët të mjekëve, në këtë festë të madhe të 25 vjetorit te krijimit të UMSH-së dhe dua t’ju falenderoj për praninë tuaj, të cilën e konsideroj nder, privilegj, respekt dhe një mbështetje të madhe për veprimtarinë e Urdhrit të Mjekëve ndër vite, si një risi në sistemin shëndetësor shqiptar.

 

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ishte një nga dallëndyshet e para të shoqërisë civile, që u shfaq në terrenin e ndryshimeve të mëdha demokratike që ndodhën në vendin tonë, pas ndryshimit të sistemit.

Personalisht ndjehem me fat, thellësisht i privilegjuar dhe krenar që ndaj këto momente me ju.

E ndjej të domosdoshme të përshëndes të gjithë kolegët që me zemer dhe mendje janë në këtë festë të madhe, por sot janë në shërbim, që është i shenjtë dhe i paprekshëm si në festa, ashtu edhe në momente të vështira e delikate të jetës së përditëshme në vendin tonë.

Për Urdhrin e Mjekëve, sot është një ditë e madhe, një festë për arritjet e shumta, të mëdha e të vogla. Në mungesë të plotë tradite e përvoje e nisëm nga hiçi, thjesht krijuam një risi të së cilës i kishim dëgjuar vetëm vlerat në interes të mjekëve, pacientëve dhe cilësisë së shërbimit.

Sot, shohim së bashku me Urdhrat e tjerë Profesionalë Mjekësorë që na pasuan, jemi një zë serioz dhe i rëndësishëm në sistemin shëndetësor shqiptar. Ne kemi një hapësirë të qartë, të  detajuar dhe saktësuar ligjërisht në veprimtarinë e përditshme bashkëpunuese me aktorë dhe faktorë të shumtë të sistemit shëndetësor.

Ne jemi ent publik i pavarur, jo politik, jo buxhetor dhe thellësisht profesional, që përfaqësojmë interesat e anëtarëve duke i harmonizuar ato me interesat e publikut.

Edhe në kontakte dhe marrëdhëniet e shumta me homologët nderkombëtarë, ndryshimi dhe arritjet janë të mëdha: Në fillim, ne ishim dëgjues të heshtur, të menduar, bënim vetëm pyetje për të kuptuar  vetrregullimin  dhe vetqeverisjen profesionale, si dhe rolin, misionin dhe funksionin e urdhërave, apo si realizoheshin e zbatoheshin  në praktikë konceptet, detyrat dhe angazhimet e marra.

Sot, duke lënë mënjanë modestinë, Ne ndjehemi të barabartë midis tyre, sepse kemi tregues dhe standarde të njëjta me ta. Tani, ne njohim, analizojmë, zbatojmë dhe trajtojmë (sigurisht bazuar në realitetin tonë) të gjitha konceptet dhe çështjet e veterregullimit dhe praktikës së profesionit tonë. Ne sot jemi anëtarësuar në pothuajse gjithë organizmat ndërkombëtare rajonale, evropiane dhe botërore. Prania sot e rreth 50 mysafirëve ndërkombëtarë midis tyre Presidenti i Shoqatës Mjekësore Botërore (WMA) Prof. Dr. Leonid Eildelman është një gjest jo thjesht protokollar, por një vlerësim dhe mbështetje e madhe për punën dhe arritjet tona.

Sigurisht kjo nuk ishte e lehtë dhe nuk u arrit në një ditë. E ri-theksoj, se Ne e filluam në padije të plotë. Vetqeverisja dhe vetrregulimi profesional, regjistrimi, liçencimi e ri-liçencimi i mjekëve, çertifikimi dhe ri-çertifikimi, EVM-ja, kreditimi, kompetenca, performanca, standardet profesionale, praktika e mirë mjekësore dhe gjykimi profesional, etj, që nuk  përmendeshin më parë, sot janë rutinë në fjalorin, praktikën dhe problematikën e përditëshme.

Është ndjekur një linjë e qartë: analizohej me përgjegjësi e profesionalitet situata jonë, ballafaqohej ajo me përvojen ndërkombëtare, duke gjetur modele dhe zgjidhje që të zbatoheshin tek ne, sqaroheshin strukturat dhe anëtarësia jonë, ju sugjeroheshin grupeve të interesit dhe bashkarisht sensibilizonin partnerët tanë, strukturat shtetërore, parlamentare, publikun, gjithë shoqërinë dhe kështu sigurohej mbështetja morale dhe krijohej baza ligjore, pastaj çdo ndryshim pasqyrohej në dokumentet dhe veprimtaritë tona.

Në këtë mënyrë, Ne themi me bindje se arritjet nuk janë rezultat i punës apo meritës të një apo një grupi individësh, por vinë nga puna dhe kontributi i gjithë bashkësisë së mjekëve, drejtuesëve dhe strukturave të Urdhrit të Mjekëve, bashkëpunimet e partneritetet me institucionet publike dhe private, bashkëpunimet me homologë kombëtar dhe ndërkombëtar, predispozicionet dhe kontributet te strukturave shtetërore dhe parlamentare (kujtoj këtu ndryshimin tre herë te ligjit për UMSH-në nga parlamenti me nismën e qeverive për t’u përmirësuar dhe afruar me kërkesat e kohës).

Kontribut të veçantë kanë dhe mediat.

Dua të nënvizoj rëndësinë që ka patur në vite qartësia, vendosmëria dhe këmbëngulja për të ndjekur, respektuar dhe ruajtur tre kolona të rëndësishme të veprimtarisë sonë:

 

  • Ruajtja e pavarësisë (pa patur ndikime politike dhe partiake, fetare, racore, etj).
  • Partneriteti me institucionet shëndetësore publike dhe private.
  • Bashkepunim i vazhdueshëm me forumet mjekësore ndërkombëtare, duke ruajtur e respektuar kriteret dhe detyrimet e anëtarësisë në to.

 

Edhe kur Ligji i vitit 2014 për Urdhrin e Mjekëve të Shqipërisë shkëputi stomatologët, na doli si detyrë zgjedhjet e reja dhe përshtatjen e gjithë dokumentacionit në frymën e ligjit të ri, u ndoqën këto linja nga drejtuesit dhe strukturat aktuale të UMSH-së për të siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë. Edhe pse, në një terren të vështirë, me qëndrime e veprime të qarta që synonin humbjen e pavarësisë, minimizimin e funksioneve të UMSH-së, strukturat e reja të zgjedhura vazhduan punën e tyre.

Duke e bazuar veprimtarinë plotësisht në kornizën ligjore të funksionimit, u punua fort për të kryer misionin dhe funksionin e Urdhrit, përfaqësimin e interesave të anëtarëve, ruajtjen dhe përmirësimin e standardeve profesionale, si dhe sigurimin e publikut për cilësinë e kujdesit shëndetësor që i ofrohet.

Është insistuar fort në respektimin e plotë të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, si përgjegjësi profesionale e mjekëve.

Eshte ngritur fort zëri për garantimin e një terreni të sigurt për të ushtruar me dinjitet profesionin mjekësor, duke garantuar kushtet për respektimin e standardeve profesionale në të gjitha hallkat e ofrimit të kujdesit shëndetësor, duke punuar dhe synuar që mjeku të ketë dinjitet dhe personalitetin që meriton dhe publiku të jetë më i sigurt për kujdesin shëndetësor që i ofrohet, duke analizuar fenomene të reja si mjekësia difensive, dhuna ndaj mjekëve, mbingarkesa në punë, tendenca për delegim detyrash në personel më pak të kualifikuar, kriminalizimi i skajshëm i gabimeve mjekësore etj.

Është sensibilizuar mbarë shoqëria për nevojën e qëndrimeve, vlerësimeve të reja për të krijuar klimën e duhur për një kujdes shëndetësor cilësor. Kjo punë ka dhënë rezultat, është mbështetur duke ndërmarr nisma ligjore për realizimin e tyre.

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, duke qenë hallkë ndërmjetëse midis drejtimit profesional të mjekëve dhe mbrojtjes së publikut ndaj kequshtrimit të profesionit të mjekut është përpjekur të analizojë dhe gjykojë ankesat ndërmjet një gjykimi profesional të paanshëm, bazuar në një ekspertizë sa më cilësore e të besueshme, në respekt të të drejtave dhe detyrimeve të të gjitha palëve, për të qenë në marrëdhënie të shëndetëshme besimi dhe llogaridhënie.

Në mbyllje do doja të citoja fjalët e Prof. Dr. Frank Ulrich Mongomery (President i CPME – Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë), i cili duke falenderuar të pranishmit për kontributin e tyre tha:

“Vendimet tona tregojnë se së bashku Ne mjekët evropianë, marrim vendimet më të mira për të mbrojtur shëndetin e publikut, të drejtat e njeriut dhe cilësinë e lartë të kujdesit shëndetësor. Në të njëjtën linjë edhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë do të kryej misionin e tij në vend dhe do të kontriboj në bashkësinë e homologëve ndërkombëtar”.

 

Sot dua t’i falenderoj të gjithë.

Faleminderit për kontributin në këto arritje që kemi sot.

 

JU FALEMINDERIT

 

   

UMSH - Te gjitha te drejtat e rezervuara